Jobi 19
Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:
"Deri kur do të hidhëroni shpirtin tim dhe do të më mundoni me ligjëratat tuaja?
U bënë dhjetë herë që më përqeshni dhe nuk keni turp që më fyeni.
Edhe sikur të ishte e vërtetë që kam gabuar, gabimi im më përket vetëm mua.
Por në rast se doni pikërisht të bëheni kryelartë me mua duke më qortuar për objektin e turpit tim,
mësoni atëherë që Perëndia më ka trajtuar në mënyrë të padrejtë dhe më ka zënë në rrjetat e tij.
Ja, unë bërtas: "Dhunë!", por nuk kam asnjë përgjigje; bërtas për ndihmë, por drejtësi nuk ka!
Më ka prerë rrugën dhe kështu nuk mund të kaloj; përhapi terrin në rrugën time.
Më ka zhveshur nga nderi im dhe më ka hequr nga koka kurorën.
Më ka shkatërruar nga të gjitha anët dhe unë po shkoj; e ka shkulur si një dru shpresën time.
Zemërimi i tij kundër meje është, ndezur dhe më konsideron si armik të tij.
Ushtarët e tij kanë ardhur të gjithë së bashku dhe kanë ndërtuar rrugën e tyre kundër meje; kanë ngritur kampin e tyre rreth çadrës sime.
Ai ka larguar nga unë vëllezërit e mi, dhe të njohurit e mi janë bërë plotësisht të huaj me mua.
Farefisi im më ka braktisur dhe miqtë e mi të ngushtë më kanë harruar.
Shërbëtorët dhe shërbëtoret e mi më trajtojnë si një njeri të huaj, në sytë e tyre jam një i huaj.
Thërras shërbëtorin tim, por ai nuk përgjigjet; duhet t'i lutem me gojën time.
Fryma ime është e neveritshme për gruan time, dhe jam i neveritshëm edhe për fëmijët e barkut tim.
Edhe fëmijët më përçmojnë; në rast se provoj të ngrihem, flasin kundër meje.
Tërë miqtë më të ngushtë kanë lemeri prej meje, edhe ata që doja janë ngritur kundër meje.
Kockat e mia i ngjiten lëkurës sime dhe mishit tim dhe nuk më ka mbetur veç se lëkura e dhëmbëve.
Mëshiromëni, mëshiromëni, të paktën ju, miqtë e mi, sepse dora e Perëndisë më ka goditur.
Pse më persekutoni si bën Perëndia dhe nuk ngopeni kurrë me mishin tim?
Ah sikur fjalët e mia të ishin të shkruara; ah sikur të kishin zënë vend në një libër;
sikur të ishin të gdhendura përjetë mbi një shkëmb me një stil prej hekuri dhe me plumb!
Por unë e di që Shpëtimtari im jeton dhe që në fund do të ngrihet mbi tokë.
Mbas shkatërrimit të lëkurës sime, në mishin tim do të shoh Perëndinë.
Do ta shoh unë vetë; sytë e mi do ta sodisin, dhe jo një tjetër. Po më shkrihet zemra.
Në rast se thoni: "Pse e persekutojmë?"; kur rrënja e këtyre të këqijave ndodhet tek unë,
ju druani për veten tuaj shpatën, sepse zemërimi sjell ndëshkimin e shpatës, me qëllim që të dini që ekziston një gjykim".