Luka 18
Pastaj u tha atyre edhe një shëmbëlltyrë, për të treguar se duhet të lutemi vazhdimisht pa u lodhur,
duke thënë: ''Në një qytet ishte një gjykatës që nuk kishte frikë nga Perëndia dhe nuk kishte respekt për njeri.
Tani po në atë qytet ishte një grua e ve që shkonte tek ai duke thënë: "Ma jep të drejtën para kundërshtarit tim".
Për një farë kohe ai nuk deshi ta bënte, por pastaj tha me vete: "Megjithse nuk kam frikë nga Perëndia dhe s'kam respekt për asnjeri,
duke qenë se kjo grua e ve po vazhdon të më mërzitë, do t'ia jap të drejtën, sepse, duke më ardhur vazhdimisht, do të më rraskapitë"''.
Dhe Zoti tha: ''Dëgjoni ç'thotë gjykatësi i padrejtë.
Vallë Perëndia nuk do të marrë hak për të zgjedhurit e tij që i këlthasin atij ditë e natë? A do të vonojë, vallë, të ndërhyjë në favor të tyre?
Po, unë ju them se ai do t'ua marrë hakun së shpejti. Po kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë besim mbi tokë?''.
Ai tha edhe këtë shëmbëlltyre për disa që pretendonin se ishin të drejtë dhe i përbuznin të tjerët.
''Dy njerëz u ngjitën në tempull për t'u lutur; njëri ishte farise dhe tjetri tagrambledhës.
Fariseu rrinte në këmbë dhe lutej në vetvete kështu: "O Perëndi, të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, grabitqarë, të padrejtë, kurorëshkelës, dhe as si ai tagrambledhës.
Unë agjëroj dy herë në javë dhe paguaj të dhjetën e gjithçkaje që kam".
Kurse tagrambledhësi rrinte larg dhe as që guxonte t'i çonte sytë drejt qiellit; por rrihte kraharorin e vet duke thënë: "O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj mua mëkatarit".
Dhe unë po ju them se ky, dhe jo tjetri, u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar; sepse kushdo që lartohet do të ulet, dhe kush ulet, do të lartohet''.
I prunë edhe disa fëmijë të vegjël që t'i prekte; por dishepujt, kur panë këtë, i qortuan.
Atëherë Jezusi i thirri fëmijët pranë vetes dhe tha: ''I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë.
Në të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë atje''.
Një nga krerët e pyeti duke thënë: ''Mësues i mirë, ç'duhet të bëj për të trashëguar jetën e përjetshme?''.
Dhe Jezusi i tha: ''Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë.
Ti i njeh urdhërimet: "Mos shkel kurorën, mos vrit, mos vidh, mos thuaj dëshmi të rrem, ndero atin tënd dhe nënën tënde"''.
Dhe ai tha: ''Të gjitha këto i kam zbatuar që nga rinia''.
Si e dëgjoi, Jezusi i tha: ''Të mungon akoma një gjë: shit gjithçka që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja e më ndiq''.
Por ai, kur i dëgjoi këto gjëra, u trishtua shumë, sepse ishte shumë i pasur.
Atëherë Jezusi, kur pa se ai ishte trishtuar shumë, tha: ''Sa është e vështirë për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!
Sepse është më lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës, sesa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë''.
Dhe ata që e dëgjonin thanë: ''Po kush, pra, mund të shpëtohet?''.
Por ai tha: ''Gjëra të pamundshme për njerëzit janë të mundshme për Perëndinë''.
Pastaj Pjetri tha: ''Ja, ne kemi lënë çdo gjë dhe të kemi ndjekur''.
Dhe ai u tha atyre: ''Në të vërtetë po ju them se nuk ka asnjë që të ketë lënë shtëpinë ose prindërit, ose vëllezërit, ose gruan ose fëmijët, për mbretërinë e Perëndisë,
që të mos marrë shumëfish në këtë kohë, dhe në kohën e ardhshme jetën e përjetshme''.
Pastaj i mori me vete të dymbëdhjetët dhe u tha atyre: ''Ja, ne po ngjitemi në Jeruzalem dhe të gjitha ato që shkruan profetët për Birin e njeriut do të përmbushen.
Ai, pra, do t'u dorëzohet paganëve, do të fyhet e do të poshtërohet dhe do ta pështyjnë.
Dhe, pasi ta fshikullojnë, do ta vrasin, por ai do të ringjallet të tretën ditë''.
Por ata nuk morën vesh asgjë nga të gjitha këto: këto fjalë për ta ishin fshehtësi dhe ata nuk kuptonin ato që u ishin thënë.
Tani ndërsa ai po i afrohej Jerikos, një i verbër ishte ulur përgjatë rrugës dhe po lypte;
dhe kur dëgjoi se po kalonte turma, pyeti çfarë ishte;
iu përgjigjën se po kalonte Jezusi nga Nazareti.
Atëherë ai bërtiti duke thënë: ''O Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua''.
Ata që ecnin përpara i bërtitën të heshtte, por ai bërtiste edhe më fort: ''O Bir i Davidit: ki mëshirë për mua''.
Atëherë Jezusi ndaloi dhe urdheroi t'ia sillnin dhe, kur ai iu afrua, e pyeti
duke thëne: ''Çfarë dëshiron të bëj për ty?''. Dhe ai tha: ''Zot, të rimarr dritën e syve''.
Dhe Jezusi i tha: ''Rimerr dritën e syve, Besimi yt të shëroi''.
Në çast rimori dritën e syve dhe e ndiqte duke përlëvduar Perëndinë; dhe gjithë populli, kur pa këtë, i dha lavdi Perëndisë.